Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

KEK: Njësia A5 është kthyer në operim

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se njësia A5 është kthyer në operim pas përfundimit të remontit kapital.

KEK ka bërë të ditur se kanë eliminuar të gjitha vërejtët e evidentuara gjatë fazës testuese.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ju njofton se njësia A5 pas përfundimit të remontit kapital dhe eliminimit të të gjitha vërejtjeve të evidentuara gjatë fazës testuese, kjo njësi është rikthyer në operim sot pas mesnate me datë, 21.05.2023”- thuhet në njoftim.

Akutalisht në operim janë tri njësi të Termocentralit Kosova A dhe një njësi e Termocentralit Kosova B.

Përpjekja për remontin e Njësisë A5 kishte filluar që nga gushti i 2022. Tenderi me procedurë të hapur për remont kapital të njësisë A5, i shpallur në fund të muajit gusht kishte dështuar pasi nuk kishte pasur ofertues andaj tenderi i dytë ishte hapur me procedurë të negociuar.

Për remontin e njësisë A5, KEK-u ka zhvilluar procedurën e negociuar me disa operatorë. Blloku A5 i termocentralit “Kosova A” ka kapacitet prej 210 megavatë për orë. KEK gjatë vitit 2022 ka hapur dy tenderë për remontin kapital të këtij blloku i cili është jashtë funksionit por që vetëm më hapjen e tenderit me procedurë të negociuar ka arritur të nënshkruajë kontratë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kishte reaguar pas arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi për tenderin për njësinë A5 të Kosovës A.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku kishte shkruar se mirëmbjajta e A5 nuk do të merrte kohë më shumë së dy muaj dhe për shkak të mos funksionit të tij, Kosova është detyruar të importojë rrymë.

LDK kishte prezantuar shifra se vetëm gjatë 11 ditëve të para të muajit prill, Kosova ka importuar 5.4 milionë euro energji elektrike.

Kryeshefi tashmë i suspenduar i KEK-ut, Nagip Krasniqi është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës nën dyshimin se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimi i ndikimit, dhe konflikti i interesit. Të njëjtit i është vazhduar paraburgimi edhe për 2 muaj tjerë.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kishte reaguar ndaj raportimeve lidhur me kontratën për riparimin e kaldajës në njësinë A5 të termocentralit Kosova A.

Në reagim thuhet se kontrata është ndërprerë më 20 mars 2023 dhe KEK nuk ka pasur asnjë shpenzim financiar meqë asnjë pagesë nuk është realizuar.

Nënshkruhet kontrata rreth 3.5 milionë euro për riparimin e kaldajës së bllokut A5

 

KEK reagon lidhur me kontratën për riparim të kaldajës në njësinë A5

Biznesi i vëllait të “Ftyrës” pjesë e tenderit për të cilin u arrestua drejtori i KEK-ut