KEK ka ndalë njësinë A-3

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A-3 është ndalur dje si pasojë veprimit të mbrojtjes në ndërpresin e gjeneratorit.

Kjo ishte paralajmëruar disa ditë më parë nga KEK-u. Kjo sipas tyre, nuk nënkupton të ketë reduktime të rrymës.

Sipas njoftimit të KEK-ut, në këtë drejtim ekipet profesionale të KEK-ut dhe KOSTT-it janë duke punuar në identifikimin e burimit që ka shkaktuar veprimin e kësaj mbrojtje dhe për të mundësuar rikthimin e sigurt të njësisë në punë në kohë optimale.

“Lidhur me këtë, KEK ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbulimin e mungesave të paraqitura si pasojë e daljes së njësisë A3, në mënyrë që kjo ndalje të mos reflektojë në mungesë të energjisë për qytetarët e vendit” – thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Kosova është përballur me reduktime të rrymës elektrike pas njoftimit nga KEDS se nuk ka mundësi financiare që të blejë energji elektrike nga jashtë.

Me kthimin në punë të blloqeve të KEK-ut, situata me energji elektrike në vend është përmirësuar.

Drejtori i KEK-ut Nagip Krasniqi në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se KEK-u ka kapacitet të prodhojë rreth 760 megavatë duke mos përfshirë bllokun A5 që është rezervë. Ndërsa kërkesa për konsum mund të shkojë deri në 1400 megavatë.