KEK i quan të pavërteta raportimet për bllokun B2, tregon për remontin e kryer në këtë njësi

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) i ka quajtur të pavërteta raportimet lidhur me gjendjen e bllokut 2 të TC “Kosova B”.

Përmes një komunikate për media, KEK njoftoi se njësia B2 ka realizuar remontin e rregullt vjetor ne gusht të këtij viti.

“Sot, e Mërkurë 28 Shtator, 2022 nga mjetet e informimit publik jemi vënë në dijeni se ka pasur raportime publike të shtrembëruara mbi remontin e njësisë B-2 Me qëllim të sqarimit të drejtë të opinionit publik i njoftojmë qytetarët e Republikës së Kosovës se gjendja e njësisë B-2 është si në vijim:Njësia B-2 ka realizuar remontin e rregullt vjetorë në Gusht të këtij viti”- thuhet në njoftim.

Tutje, potencohet se ky remont është bërë me pjesëmarrjen në inspektim nga ekspertët e kompanisë General Electric.

“Ky remonti është bërë me pjesëmarrjen në inspektim në punët në turbinë nga ekspertët e kompanisë General Eletric (GE). Inspektimi ka rezultuar me disa të gjetura të cilat janë eliminuar. Remonti është bërë po ashtu nën mbikëqyrjen e ekipit të GE”- thuhet më tej nga KEK.

Në njoftim theksohet se për sigurinë e operimit të turbinës në njësinë B2, ekspertët e GE kanë rekomanduar kufizim të ngarkesës në operim, i cili pritet që të rritet pas aktivizimit të sistemit të kogjenerimit më 15 tetor.

KEK-u ka ritheksuar se spekulimet e disa mediave lidhur me remontin e njësisë B2 kanë efekt negativ në gatishmërinë dhe vullnetin e punëtorëve që, sipas KEK, bëjnë maksimumin në operimin e njësive prodhuese dhe për të siguruar energji elektrike për qytetarët e vendit.