
“KEDS t’i kthehet Kosovës” – kërkesa e protestuesve për energjinë elektrike
Me parrullën “KEDS t’i kthehet Kosovës” ka nisur protesta e një grupi të qytetarëve kundër reduktimeve të rrymës duke kërkuar edhe kshkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
“Lësho rrymën, lësho rrjetin largoje KEDS-in”, “Rizvanolli ik”, “S’paguaj rrymë unë për veriun”, “Qeveri e popullit dhe jo e privatnikut”, “KEDS t’i kthehet Kosovës”, ishin disa nga thirrjet që u bënë nga ky grup i qytetarëve para objektit të KEDS.
Një nga organizatorët e kësaj proteste, aktivisti Diran Hoxha tha se reduktimi i rrymës nga ana e KEDS-it nuk duhet pranuar kurrsesi.
“KEDS është shit në 2012 dhe prej 2013 ja ka nis me gjeneru fitime, a e din se për 8 vite sa i ka deklaru fitime, zëdhënësi i kësaj kompanie i ka deklaruar 140 milionë euro fitime për 8 vite, kur KEDS ju kanë bë 8 vite me shpërnda rrymën tu e ble prej një prodhuesi publik, ata kanë nis me na reduktu rrymën, kjo nuk duhet me u pranu kurrsesi”, tha Hoxha.
“Në fshatra të Kosovës rryma ndalet ka 12 orë 24 orë, në lagje ku ka minoritete nuk ka 24 orë rrymë, këta janë edhe diskriminues”, tha më tej ai.
Protesta e nisur nga KEDS do të vazhdojë deri tek ndërtesa e Qeverisë.
Një orë para se të fillonte protesta, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se reduktimet e energjisë elektrike pothuajse janë hequr.