Foto: KEDS
KEDS: Një zjarr i qëllimshëm ka lënë pa rrymë disa fshatra të Gjakovës
Një zjarr në Gjakovë ka dëmtuar asetet elektroenergjetike të Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), dhe ka lënë pa rrymë disa fshatra të kësaj komune.
KEDS po pretendon se zjarrvënia ishte e qëllimshme. Si pasojë, nga ky dëm dhe zjarr, i cili vazhdon të jetë aktiv akoma, kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike rreth 700 konsumatorët e fshatrave Molliq, Batushë, Brovinë, Stubëll, Berjah.
“Persona të papërgjegjshëm i kanë vënë zjarrin qëllimshëm një fushe, me ç’rast është dëmtuar pjesërisht Largpërçuesi 10kV Dobroshi”- shkruan në njoftimin e KEDS.
KEDS ka bërë të ditur se ka mobilizuar ekipet e veta që tashmë dhe ndodhen në terren.
Megjithatë, sipas verifikimeve, KEDS njofton se gjendja është e rëndë dhe nuk dihet saktë se sa i madh është dëmi, për çka eliminimi i dëmit të shkaktuar në kabllot elektrike me gjasë do të marrë kohë.
“KEDS vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve të kenë kujdes të shtuar e të mos shkaktojnë qëllimshëm vatra të tilla zjarresh, sepse kështu po dëmtohen asetet e kompanisë dhe konsumatorët po mbesin pa furnizim me energji elektrike”- shkruan KEDS.