FOTO: KEDS

KEDS ndërton linjën e re mbi 60 kilometërshe në Gjakovë

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka ndërtuar linjën e re mbi 60 kilometra në Gjakovë e cila ka kushtuar mbi 2 milionë euro.

Nga kjo linjë e re, KEDS ka bërë të ditur se përfitojnë rreth 10 mijë qytetarë.

“Dalja e Cermjanit që derivon nga qendra e qytetit të Gjakovës e shkon në drejtim të fshatrave malore që degëzohen në njërën anë në drejtim të Deçanit e në anën tjetër në drejtim të Klinës, tashmë është ndërtuar thuajse komplet e re. Ky projekt përbëhet prej tre largpërçuesve-atij të Cermjanit, Becit dhe Erenikut. Të tri këto dalje janë shkrirë në një dalje të vetme dhe mbarojnë në fshatin Kralan të Gjakovës.Kjo linjë është mbi 60 km e gjatë, përderisa 24 kilometra do të jetë nëntokësore. Në linjën nëntokësore, përskaj magjistrales Gjakovë- Prishtinë tashmë pusetat dhe elementet e tjera janë vendosur”- thuhet në njoftimin e KEDS.

Përgjatë këtij segmenti janë vendosur 817 shtylla të reja betoni dhe përçues të të rinjë elektrikë ndërsa janë në ndërrim e sipër 36 trafostacione.

“Ky projekt madhor, i cili kap vlerën prej afër dy milionë eurosh, ka filluar në vitin 2021 dhe do të mbarojë së shpejti. Prej tij përfitojnë më shumë se 2,400 konsumatorë ose rreth 10 mijë qytetarë të asaj ane, duke pasur një rrjet të qëndrueshëm dhe furnizim stabil me energji elektrike”- thotë KEDS.

KEDS në të njëjtën kohë është duke kryer projekte dhe investime të tjera në tërë territorin e Kosovës.