Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KEDS/KESCO reagon për gjobën milionëshe që ua shqiptoi ZRRE-ja: Rrezikohet qëndrueshmëria energjetike gjatë dimrit

KEDS dhe KESCO e kanë konsideruar si të padrejtë gjobën që Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ua ka shqiptuar sot.

Përmes një komunikate, KEDS-i ka thënë se me gjobën prej 8.4 dhe 2.7 milionë euro për këto dy kompani që operojnë bashkë, do të rrezikohet qëndrueshmëria energjetike e Kosovës gjatë dimrit.

KEDS dhe KESCO kanë fajësuar ZRRE-në se nuk ka vepruar me kohë kur ka filluar kriza me energji elektrike.

“Me fjalë të tjera, veprimi i vetëm për tejkalimin e krizës energjetike është vendimi për t’i gjobitur operatorët KEDS/KESCO, duke e thelluar dhe rrezikuar qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik në periudhën e dimrit të vështirë që e kemi përpara. Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji e ka lënë në “mëshirë të fatit” sektorin e energjisë elektrike” – thuhet në reagim.

Sipas tyre, në korrik 2021 kur janë dhënë sinjalet e para të krizës energjetike, ZRRE nuk ka marrë asnjë masë për parandalimin e krizës.

KEDS/KESCO thonë se kërkesa për shqyrtimin e jashtëzakonshëm nuk është marrë parasysh asnjëherë dhe në parim është refuzuar.

“Në shkurt të këtij viti, Rregullatori mori një vendim të vonuar, i cili nuk dha asnjë rezultat në tejkalimin e krizës, duke i detyruar operatorët që të operojnë nën kosto” – thuhet në reagim.

“Mosveprimet e Rregullatorit kanë krijuar çrregullime, konfuzion dhe kosto shtesë në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë. Për më tepër, edhe pse sektori i energjisë elektrike është në gjendje emergjente që nga dhjetori i vitit të kaluar, Rregullatori këmbëngul të mos ndërmarrë asnjë veprim”.

Tutje, KEDS dhe KESCO kanë paralajmëruar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore në lidhje me gjobat e ZRRE-së, ndërsa kanë pretenduar se shkaktimi i krizës energjetike ka ndodhur jashtë kontrollit të operatorëve, e që sipas tyre, janë operatorët që kanë vuajtur pasojat e mosveprimit me kohë të institucioneve përkatëse.

“Pavarësisht se ndodhemi në një situatë shumë të vështirë dhe me shumë paqartësi në lidhje me sigurimin e energjisë elektrike në periudhën e dimrit që po na vjen, zotohemi se do t’i shterim të gjitha mundësitë tona, njëjtë siç kemi vepruar deri më tani, për të luftuar këtë krizë energjetike, edhe pse ndjehemi të vetëm dhe pa mbështetje institucionale” – thuhet në fund të reagimit.

Sot, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim që të shqiptojë gjobë prej 8.4 milionë euro për KESCO-n dhe 2.7 milionë euro për KEDS-in. Gjobat kanë ardhur pas një raporti të monitorimit të këtyre dy kompanive, që sipas raportit, KESCO kishte rrezikuar furnizimin me energji elektrike për konsumatorë në Kosovë, ndërsa KEDS kishte nominuar sasi më të vogla të energjisë për humbje të rrjetit të shpërndarjes sesa vetë parashikimi.

ZRRE gjobit KESCO-n me 8 milionë euro dhe KEDS-in me 2.7 milionë euro