KEDS: Kemi angazhuar afër 1 mijë punëtorë për Ditën e Zgjedhjeve që të ketë rrymë në gjitha Qendrat e Votimit

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se ka përfunduar të gjitha parapërgatitjet për Ditën e Zgjedhjeve, që të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për të gjitha Qendrat e Votimit në Kosovë.

Në këtë drejtim KEDS thotë se afër 1 mijë punëtorë do të jenë të angazhuar gjatë ditës së Zgjedhjeve, ku secila Qendër e Votimit dhe çdo lokacion do të kenë punonjës kujdestarë në dispozicion.

“Me qëllim të shmangies së çfarëdo ngjarjeje të papritur me furnizim me energji elektrike dhe me qëllim të pranimit të shpejtë të informatave të tilla, si dhe për të intervenuar në afatin më të shkurtër kohor KEDS ka ndërmarrë hapat si në vijim: afro 1000 punëtorë të KEDS-it do të jenë të angazhuar gjatë Ditës së Zgjedhjeve, ku secila Qendër e Votimit dhe çdo lokacion do të kenë punonjës kujdestarë në dispozicion. Qendra Dispeqerike e KEDS-it do të punojë me kapacitete të shtuara, Qendra e Thirrjeve do të punojë me kapacitete të shtuara.” – thuhet në njoftimin e KEDS-it, më 07.02.2025.

Sipas tyre, këto kapacitete të KEDS-it do të jenë në dispozicion që nga momenti i hapjes së Qendrave të Votimit e deri në përfundimin e tyre.

“Pavarësisht kësaj, KEDS u ka kërkuar autoriteteve përkatëse në Republikën e Kosovës – përgjegjëse për organizimin dhe mbarëvajtjen e Zgjedhjeve, që të sigurojnë bateri emergjente dhe/ose gjeneratorë funksionalë në rast të ndonjë ndërprerje të paplanifikuar e të paparashikuar në Qendrat e Votimit. KEDS informon po ashtu se në Ditën e Zgjedhjeve nuk ka planifikuar asnjë mirëmbajtje të rrjetit elektrik shpërndarës ose ndonjë plan investiv. KEDS u bën thirrje të gjithë qytetarëve që në rast të ndonjë avarie të paraqitur në rrjet të lajmërojnë menjëherë Kompaninë – duke thirrur në Qendrën e Thirrjeve pa pagesë, në: 080079100, përmes rrjeteve sociale ose në zyrat më të afërta të Kompanisë.” – përfundon komunikata e KEDS-it.

Qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutisë së votës, më 09.02.2025, për të votuar kandidatin për Kryeministër dhe përbërjen e re të Parlamentit.