KEDS: Ka përmirësim të situatës, çmimet e energjisë në tregun ndërkombëtar kanë rënë

Zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala ka thënë se tani situata me energjinë është duke u përmirësuar pasi çmimi në tregun ndërkombëtar ka rënë.

Ai shtoi se për këtë ka ndikuar edhe përmirësimi i temperaturave pasi ka rënë konsumi.

“Tani kemi një përmirësim të gjendjes, çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë rënë pasi ka rënë edhe kërkesa për blerje. Sot kemi temperature 7-8 gradë plus, kurse para disa ditëve kanë qenë minus. Kjo ka bërë që të ketë rënë konsumi dhe përmirësim të gjendjes”, ka thënë Buzhala.

Ai tha se konsumi për orë këtë periudhë ka qenë më i madhi në histori të korporatës që nga privatizimi.

“Konsumi ka arritur deri në 1,400 megavat në orë, që nuk është shënuar asnjëherë në histori të korporatës, pastaj prodhimi shkon deri në 600 megavat, duke marr parasysh se e kemi jashtë funksionit njësinë B2. Çmimet e importit po ashtu po shkojnë deri në 600 euro për megavat, 10 fish më shumë se vitin e kaluar”, shtoi tutje zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala.

KEDS tregon se pse po ka ndërprerje të rrymës më shumë se 2 orë