Shtyllë elektrike e rrëzuar nga era e fortë - Foto: Facebook/KEDS
KEDS-it i duhen edhe 5 vjet për t`i ndërruar shtyllat që janë në gjendje të rëndë
Në Kosovë gjatë kushteve të këqija atmosferike, problemi më i madh me të cilin përballen qytetarët është ndërprerja e energjisë elektrike si shkak i rrëzimit të shtyllave të cilat janë prej druri dhe shumë të vjetra, madje një pjesë prej tyre janë në terene shumë të papërshtatshme dhe sfiduese për t`u bërë ndërhyrje e menjëhershme.
Mbrëmë u njoftua se mbi 100,000 banorë të Kosovës kishin mbetur pa energji elektrike si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike.
KEDS në një deklaratë për media shprehu se ekipet e tyre janë në teren, dhe po kryejnë të gjitha punimet e nevojshme për të sanuar dëmin e shkaktuar nga erërat dhe reshjet e borës.
“Ekipet e KEDS-it janë në terren, madje kompania ka mobilizuar menjëherë edhe ekipe shtesë që po i sanojnë prishjet në kohën më të shkurtër të mundshme. Por, erërat e stuhishme deri në 80 kilometra në orë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, ku shumë përçues janë përtokë, përderisa janë thyer edhe një numër i konsiderueshëm i shtyllave. Kjo, së bashku me kushtet tejet të rënduara atmosferike po e bëjnë intervenimin shumë të vështirë”, njofton KEDS.
KEDS po ashtu njoftoi se janë mbi 500 punëtorë në teren si dhe falënderoi banorët të cilët u kishin dal në ndihmë me pajisjet shtesë.
“Në kushte të vështira atmosferike, gjatë gjithë kohës mbi 550 punëtorë të KEDS-it janë vazhdimisht në teren që nga dita e djeshme. Ata po e sfidojnë të ftohtin, borën dhe erërat e forta me misionin e vetëm që të sjellin energjinë elektrike për konsumatorët anekënd Kosovës. Rrjeti po goditet edhe nga faktorët tjerë eksternë si nga copëza të kulmeve, drunjë të thyer e gjësende tjera që kanë vështirësuar funksionimin dhe punën e tyre. Të njëjtën kohë, edhe komunat e Istogut dhe Klinës na kanë ndihmuar me pajisje shtesë që prishjet të evitohen në kohën më të shkurtër të mundshme”, thuhet në deklaratën e KEDS-it.
Në anën tjetër Viktor Buzhala, zëdhënës në KEDS tha se tash e 6 vite kjo korporatë ka ndërruar rreth 100,000 shtylla, duke u shprehur se shtyllat e drurit nuk janë të domosdoshme për t`u ndërruar.
“KEDS deri sot ka vendosur për 6 vjet të operimit rreth 100,000 shtylla pjesa dërmuese e të cilave janë shtylla betoni. Shtyllat e drurit nuk është e domosdoshme të ndërrohen. Ka shtylla të drurit që e kryejnë funksionin e tyre mjaft mirë. Shtylla të tilla ekzistojnë edhe në vendet më të zhvilluara të botës. Mjafton të shkoni në vendin më të zhvilluar të rajonit tonë, Greqi dhe e shihni që thuajse komplet rrjetin elektrik e kanë në shtylla të drurit. Shtylla të tilla janë me shumicë edhe në vendet e Evropës Perëndimore apo Amerikë”, tha Buzhala.
Sipas tij problemi më i madh është vjetërsia e shtyllave dhe se kanë në plan që deri në vitin 2025 të zëvendësohet pjesa më e madhe e rrjetit në gjendje të rëndë.
“Problemi tek ne është tek vjetërsia e tyre. KEDS duke i zëvendësuar rreth 100 mijë shtylla ka bërë ndërrimin e rrjetit në qindra lokalitete anekënd vendit përmes investimeve, por gjendja e trashëguar nga koha kur distribucioni ishte aset publik ishte mjaft e rëndë dhe 6 vjet nuk janë të mjaftueshme që ato të zëvendësohen komplet. KEDS ka planin dinamik të investimeve dhe parashohim që deri në vitin 2025 të zëvendësohen pjesa më e madhe e rrjetit që ishte në gjendje të rëndë”, u shpreh Buzhala.