KEDS-i: Sonte nuk do ketë ndërprerje të energjisë elektrike

Zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala, ka thënë se sonte nuk do ketë ndërprerje të energjisë elektrike.

Ai tha për KALLXO.com se sot ka pasur pak reduktime në mëngjes, por deri pas mesnatës nuk do të ketë mungesë të energjisë elektrike.

“Ka pasur reduktime në orët e mëngjesit, por sonte deri në mesnatë nuk do ketë ndërprerje të energjisë për qytetarët”, ka thënë Buzhala për KALLXO.com.

Buzhala para dy ditësh në një konferencë të KEDS-it tha se gjendja me energjinë po shkon drejt përmirësimit pasi çmimet në tregun ndërkombëtar kanë rënë.

“Tani kemi një përmirësim të gjendjes, çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë rënë pasi ka rënë edhe kërkesa për blerje. Sot kemi temperature 7-8 gradë plus, kurse para disa ditëve kanë qenë minus. Kjo ka bërë që të ketë rënë konsumi dhe përmirësim të gjendjes”, ka thënë Buzhala.

Rënien e reduktimeve e ka paralajmëruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të subvencionimit të importit të energjisë elektrike dhe shtimit të likuiditetit.

Para disa ditëve KEDS-i ka paralajmëruar reduktime të energjisë elektrike nga dy orë për të gjithë qytetarët e Kosovës, me përjashtim të atyre emergjentë. Por ka pasur ankesa nga qytetarët në disa pjesë të Kosovës që reduktimet kanë qenë më të gjata se orari i paralajmëruar.

Për këtë, ministrja e Ekonomisë ka thënë se janë duke përgatitur dosje për t’i dërguar në Policinë e Kosovës.

Sot është protestuar para objektit të KEDS-it, me parullën “KEDS t’i kthehet Kosovës”, ku është kërkuar edhe shkarkimi i ministres Rizvanolli.