Foto: Denis Sllovinja

KEDS: Hoteli në Prishtinë dyshohet se vodhi 21,050 euro rrymë

Ekipe të Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) gjatë kontrollit kanë zënë pronarin e një hoteli në Prishtinë duke vjedhur energjinë elektrike.

Sipas kalkulimeve, KEDS njofton se pronari dyshohet se vodhi energji në vlerë monetare prej 21 mijë eurove.

“Gjatë këtyre ditëve, ekipet e kontrollit të KEDS-it zunë në vepër pronarin e një hoteli në Prishtinë duke e vjedhur energjinë elektrike. Ai, duke anashkaluar njehsorin elektrik, pajisjet hoteliere po i shfrytëzonte në të zezën dhe pa paguar fare për energjinë e shpenzuar”- thuhet në njoftim.

“Kur KEDS bëri kalkulimet, doli që ai vodhi një sasi të madhe të energjisë elektrike, që në vlera monetare arrin në 21,050.80 euro . Ai detyrohet t’ia kthejë KEDS-it këtë shumë të parave në kuadër të Rikthimit të Humbjeve – si masë e parë ligjore ndaj tij”- bën të ditur tutje KEDS.

Më tej, KEDS potencon se ky konsumator do të ballafaqohet me gjykatat kompetente pasi dyshohet se kreu vepër penale.

“Kodi Penal e cilëson keqpërdorimin e energjisë si vjedhje të shërbimeve, për të cilën, sipas nenit 314, dënimi mund të jetë deri në tri vjet burgim”- thuhet nga KEDS.