Obiliqi - Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

KEDS flet për akuzat e Dardan Molliqajt se blloku A3 dhe A5 të KEK-ut kanë rënë qëllimisht

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala në një konferencë për media ka folur për akuzat nga kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj se mund të kenë qenë të përfshirë në rrëzim të dy blloqeve, A3 dhe A5 të KEK-ut.

“Sa i përket konstatimeve të Dardan Molliqajt me to po merret zyra jonë ligjore, ne nuk kemi kapacitete por as mundësi teknike që të rrëzojmë blloqet, ky është një konstatim absurd dhe do sqarohet në sistemin e drejtësisë”, tha zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala.

Gjatë ditës së sotme, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj përmes një konference për media ka deklaruar se rënie e blloqeve A3 dhe A5 ka qenë e qëllimshme dhe për këtë kishte fajësuar KEDS-in.

“10 ditë më parë kishte rënie të A3 dhe A5 me mungesë të shtuar të energjisë elektrike. Kërkojmë menjëherë një hetim të organeve përgjegjëse dhe ekspertëve të fushave, pasi rënia e dy blloqeve përnjëherë duket që ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS-i”, tha gjatë ditës së sotme, Dardan Molliqaj në një konferencë për media.

Molliqaj: Rënia e bllokut A3 dhe A5 të KEK-ut kanë qenë të qëllimshme