Foto: Ilustrim

KEDS: Erërat e forta kanë shkaktuar prishje në rrjet në disa qytete

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike, KEDS ka njoftuar se kushtet atmosferike dhe erërat e forta kanë shkaktuar prishje në rrjet, ku janë prekur disa qytete.

“Për shkak të kushteve atmosferike dhe erërave të forta që po mbizotërojnë në vend, janë shkaktuar disa prishje në rrjetin tonë. Zonat më të prekura janë Prishtina, Gjilani, Peja, një pjesë e Ferizajit dhe Mitrovicës”, thuhet në njoftim.

KEDS bënë të ditur se ekipet e tyre janë duke punuar në intervenim të këtyre prishjeve.

“Ekipet tona janë të shpërndara anë e kënd Kosovës dhe po përkujdesen që prishjet dhe problemet e shkaktuara nga erërat, t’i identifikojnë dhe të intervenojnë aty ku po paraqiten mundësitë e intervenimit”, thuhet tutje në njoftim.

KEDS u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i lajmërojnë për çdo problem të shfaqur në rrjet.