
Trafo elektrike, Foto: KALLXO.com
KEDS akuzon banorë të Korroticës së Epërme për vjedhje të rrymës, kryetari i fshatit i mohon akuzat
Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka akuzuar banorë të fshatit Korroticë e Epërme të Drenasit për vjedhje të energjisë elektrike.
Por, Xhafer Doberdolani, kryetar i fshatit Korroticë e Epërme, i ka mohuar akuzat e KEDS-it.
Përmes një postimi në Facebook, KEDS ka thënë se dhjetëra banorë të Korroticës së Epërme e kanë vjedhur gjatë dhjetorit 2024 më tepër se gjysmën e rrymës.
“Saktësisht, në një trafo që gjendet në këtë fshat, u vodh 59% e energjisë elektrike gjatë dhjetorit të fundit nga 57 shtëpi të alokuara aty. Kur vjedhja e energjisë elektrike bëhet normë, mbingarkesa në transformator, rënia e tensionit dhe rrezikshmëria e lartë bëhen praktikë”- thuhet në njoftimin e KRDS në Facebook.
Në anën tjetër, Xhafer Doberdolani, kryetar i fshatit Korroticë e Epërme, i ka mohuar akuzat e KEDS-it për vjedhje të rrymës nga fshatarët.
“Kjo është rrenë e kulluar se në Korroticë të Epërme KEDS krejt i ka ngjitë shtyllat e betonit e me kabllo dhe orët i kanë ngjitë në majë të shtyllës dhe nuk ka askush që mundet me vjedh. Unë po të garantoj se ajo lagje nuk vjedh rrymë”- ka thënë ai për KALLXO.com.
KEDS i paralajmëron të gjithë konsumatorët që të mos e keqpërdorin energjinë elektrike në të kundërtën do të përballen me masa ligjore.