Kearns: Britania e Madhe nuk do të mbështesë formimin e Republikës Srpska në Kosovë

Britania e Madhe nuk do të mbështesë formimin e Republika Srpska [enklava serbe] në Kosovë, ka deklaruar kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Britanik, Alicia Kearns, duke komentuar planin franko-gjerman për Serbinë dhe Kosovën, i cili synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve.

“Paqartësia e gjuhës në planin [franko-gjerman] është problematike. Flitet për vetëqeverisje. Çfarë do të thotë? A do të thotë kjo degën e ujit, rrymës dhe gazit, apo vetëqeverisje do të thotë struktura të veçanta qeverisëse? Ne nuk duhet të lejojmë Republikën Srpska në Kosovë”- tha Kearns për Al Jazeera.

“Ne jemi të vetëdijshëm se kjo çon në konsolidimin e etno-nacionalizmit dhe nuk çon në unitet”- shtoi ajo.

Në përpjekjet e Perëndimit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, Beogradi zyrtar këmbëngul që  në Kosovë të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe si pikë kyçe për vazhdimin e dialogut.

Kryeministri i Kosovës, Abin Kurti, thotë se çdo Asociacion do mund të formohet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk mund të ketë autoritet për të bllokuar vendimet e Qeverisë në Prishtinë, ashtu siç entiteti Republika Srpska mund të bllokojë vendimet e Qeverinë shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sipas Kearns, Britania e Madhe mbetet absolutisht e përkushtuar ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, si dhe “të mos pengohet në rrënjosjen e etno-nacionalizmit”.

“Ka aspekte të mira të planit franko-gjermano-amerikan, por formimi i një enklavë serbe është diçka që Britania e Madhe, ne ishim shumë të qartë, nuk e mbështesim”- shprehet Kearns.

Kosova vazhdon të përballet me presion ndërkombëtar për çështjen e formimimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kjo është një nga marrëveshjet më të diskutueshme në dialogun Kosovë-Serbi, e që formimin e saj Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e kërkojnë me ngulm ndonëse marrëveshja fillestare për të po kundërshtohet pasi nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në anën tjetër, kryeministri i vendit, Albin Kurti, para deputetëve kishte prezantuar gjashtë kushtet me të cilat Kosova mund ta konsiderojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kushti i parë sipas tij është që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet që janë në fuqi.

Ndërsa një kusht tjetër i kreut të ekzekutivit është edhe që Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke.

Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe paraqet gurthemelin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 mes të dyja palëve, ku gjashtë nga 15 pikat e marrëveshjes janë të fokusuara në krijimin e tij.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Kjo e fundit, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.