Komisioni i Pavarur per Media/KPM
KE vlerëson se Kuvendi ka dështuar t'i përfshijë shumicën e rekomandimeve të BE-së në Ligjin për KPM
Komisioni Europian në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2023, vlerëson se Kuvendi i Kosovës ka dështuar t’i përfshijë shumicën e rekomandimeve të BE-së në Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media.
“Ligji për KPM-në është miratuar nga Kuvendi në korrik. Ai kontribuon në përmirësimin e rregullimit të mediave dhe performancës së KPM-së. Megjithatë, te amendamentet e Kuvendit, ata dështuan të pasqyronin shumicën e rekomandimeve të BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë”- theksohet në raport.
Aty thuhet se shqetësimet te ky ligj mbeten për pavarësinë, kompetencat dhe financimin e KPM-së, si dhe për “mungesën e qartësisë dhe proporcionalitetit të ligjit”.
Raporti ndër të tjera thotë se Agjencia për Informim dhe Privatësi përmirësoi performancën e saj, por në praktikë, gazetarët ende përballen me vonesa ose mohime të vazhdueshme kur kërkojnë nga institucionet publike qasje në dokumente.
“Mediat në gjuhën serbe vazhdojnë të përballen me sfida në qasje në informata për shkak se institucionet publike nuk respektojnë kërkesat e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”- theksohet në raport.
Raporti i Progresit thotë se “në përgjithësi, funksionimi dhe transparenca e KPM-së është përmirësuar dukshëm”.
Ligji për KPM ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës në fillim të muajit korrik të vitit 2024. Pas miratimit, partia opozitare, PDK e kishte dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
AGK-ja i kërkon presidentes Osmani qëndrim publik lidhur me Ligjin për KPM-në
PDK dërgon në Kushtetuese dy ligje dhe statutin e UP-së