Komisioneri i Zgjerimit Oliver Varhelyi. Foto kortezi: Emilie GOMEZ/EP

KE rekomandon fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë

Komisioni Europian vlerësoi si të realizuara shumicën e kushteve të vendosura në mars nga Këshilli i Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe rekomandoi hapjen e bisedimeve në raportin e saj vjetor të progresit të publikuar të martën. Raporti u prezantua nga Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi në një takim të jashtëzakonshëm në Komitetin e Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian, takim që u shoqërua me debate, fillimisht për shkak se deputetët u ankuan se dokumentet për diskutim ishin ndarë me ta vetëm pak para fillimit të debatit ndërkohë që kishin rrjedhur në media shumë ditë më parë, ndërsa më pas dhanë opinione të ndryshme për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, duke bërë në përgjithësi vërejtje për atë që e cilësuan si trajtim i butë nga ana e Drejtorisë së Zgjerimit të problemeve në këto vende.

Komisioni prezantoi gjithashtu një plan ekonomik për Ballkanin Perëndimor përmes të cilit premton investime në nivelin e 9 miliardë eurove për të mobilizuar fonde me vlerë totale prej 29 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit perëndimor për periudhën 2021-2027. Sipas Varhelyi, ky program do të investojë në rrugë e hekurudha, energji më të pastër se sa qymyri si dhe infrastrukturë dixhitale, me synimin për të nxitur rritjen ekonomike të rajonit dhe ngushtimin e pabarazisë ekonomike mes rajonit dhe Bashkimit Europian. Varhelyi e konsideroi integrimin e Ballkanit në BE si një çështje me rëndësi strategjike për BE-në.

Kati Piri, një eurodeputete nga Holandeze, kritikoi propozimin e Varhelyi për hapjen e kapitujve të rinj të negociatave për anëtarësim mes Serbisë dhe BE-së.

“Hapja e kapitujve të rinj absolutisht nuk reflekton qëndrimin e grupit tim politik,” tha Piri. “Ne shohim tendencë autoritarizmi në vend kështu që unë nuk mund ta shpjegoj se nga vjen propozimi për hapje kapitujsh të rinj”.

Një eurodeputet tjetër pati vërejtje për atë që e quajti, gjuhë të butë të trajtimit të problemeve të rënda që ka Turqia në lidhje me të drejtat e njeriut.

Progresi i Shqipërisë

Këshilli i Bashkimit Europian përcaktoi një listë me kushte që Shqipëria duhet të realizojë para se negociatat mes BE-së dhe Shqipërisë për anëtarësimin e Shqipërisë të fillojnë. Më saktë, negociatat janë shpallur të hapura në Mars, por zhvillimi i konferencës së parë ndërqeveritare, do të bëhet vetëm pasi Këshilli i BE-së, i cili përbëhet nga krerët e shteteve anëtare, të japë leje më vonë këtë vit për ta zhvilluar këtë takim dhe kjo në varësi të plotësimit të kushteve të vëna në mars.

Raporti [Link] thotë se marrëveshja e 5 qershorit mes maxhorancës dhe opozitës për ndryshimet në kodin zgjedhor plotëson kushtin e vënë për realizimin e dialogut politik në vend ndërsa kërkon përmirësim të mëtejshëm  në këtë dialog. Ngjarjet pas marrëveshjes së 5 qershorit, përfshirë ndryshimin e njëanshëm në rregullat e lojës janë kaluar pa komente në raportin e progresit, ndërsa dy eurodeputetë shprehën shqetësimin se standardet e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri vihen në pikëpyetje nga këto ndryshime.

Raporti vëren se Gjykata e Lartë ka arritur të ketë aktualisht tre anëtarë (të zgjedhur në mars) dhe kjo do të thotë se një dhomë e saj mund të funksionojë e rrjedhimisht, plotësohet edhe kushti për të pasur një gjykatë kushtetuese funksionale.

“Përzgjedhja e anëtarit të katërt jo-magjisrrat është pranë përfundimit. Kandidatët e tjerë magjistratë janë në procesin e promovimitbrenda sistemit gjyqësor,” thuhet në raport.

Në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, funksionimi i të cilës është një kusht tjetër, raporti pranon se kushti nuk është plotësuar por ai është “pranë të plotësuarit”.

Krijimi i SPAK dhe plotësimi me staf i Byrosë Kombëtare të Hetimit është kushti tjetër i plotësuar ndërsa raporti vlerëson luftën kundër korrupsionit si “me progres të mirë” ndërsa thekson se dënimet e zyrtarëve të lartë mbeten “objektiv afatgjatë” dhe korrupsioni “mbetet i gjithëpërhapur dhe shqetësim serioz”.

Debati në Komitetin e Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian të martën u shoqërua me një replikë të ashpër mes një eurodeputeti të së djathtës ekstreme franceze dhe raportueses së PE-së për Shqipërinë.

Jerone Riviere një deputet i grupit Identiteti dhe Demokracia, e cilësoi Shqipërinë një “vend me shumicë myslimane” dhe një “shtet të drejtuar nga mafia”.

Isabel Santos, nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve dhe që shërben edhe si raportere për Shqipërinë në PE replikoi ashpër duke thënë se ishte e tronditur nga fjalë të tilla.

“Është me rëndësi të madhe që ne në Shqipëri kemi popullin më pro-Europian”, tha ajo. “Ne mund të kemi problemet tona politike, por populli shqiptar është mbi të gjithë këtë. Interesat e popullit shqiptar janë mbi këtë,” tha ajo. (reporter.al)