Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kë po e mbështet PDK në Viti, LDK apo LVV? Flasin kandidatët për kryetar

Kandidatët për kryetar të Komunës së Vitisë në Debat Pernime kanë treguar për koalicionet që kanë bërë para balotazhit të 14 nëntorit.

Kandidati për kryetar të Vitisë, Arsim Ademi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka thënë se kanë arritur marrëveshje politike me AAK-në.

“Ne kemi pasur bisedime edhe me PDK-në dhe AAK-në. Me AAK-në kemi arritur marrëveshje bashkëpunimi dhe do të jemi në bashkëqeverisje. Me PDK-në nuk kemi arritur marrëveshje finale, nuk kemi diçka të shkruar, nuk kemi zotim për mbështetje prej kryesisë së PDK-së, ata kanë thënë se janë neutral, prej strukturave të PDK-së, aktivistëve dhe votuesve kemi mbështetje të mirë”, tha ai.

Kurse, kandidati për kryetar të Vitisë, Sokol Haliti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) theksoi se kanë përkrahje nga partitë e vogla që kanë garuar me listat e tyre.

Ai u shpreh optimist se do të kenë marrëveshje edhe me PDK-në.

“Ne ju kemi drejtuar drejtuar qytetarëve. Kemi pasur kontakte edhe me partitë, për shkak që PDK-ja ka pasë vërtet një garë dhe një rezultat të mirë, një seriozitet, edhe kandidati ka qenë kualitativ. Unë e kam lutur që pjesë nga strategjia e tij të inkorporohet edhe në strategjinë time si kandidat fitues që do të jem. Ne do të bashkëpunojmë besoj”, tha ai, duke shtuar se pas të dielës mund të bëjë marrëveshje edhe me LVV-në.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Vitisë, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Viti, Sokol Haliti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Arsim Ademi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LDK-së, Sokol Haliti ka marrë 41,30% të votave, kurse Arsim Ademi nga LVV ka siguruar 34,50%.