Takimi i 04.05.2022 | Foto: Mirosllav Lajcak
KE kërkon nga Kosova dhe Serbia që t'i normalizojnë marrëdhëniet, ua rikujton pasojat nga mungesa e progresit
Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet thelbësor në rrugën europiane të të dyja shteteve. Në të kundërtën, të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme nga BE-ja.
Kështu tërhiqet vërejtja për të dy shtetet në kuadër të kapitullit për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre i cili ka zënë vend në Raportin e Progresit të Komisionit Europian, i cili u bë publik dhe iu dorëzua Qeverisë më 30.10.2024.
Ky raport i përvjetshëm, për sivjet thotë se sulmi në Banjskë, është “përshkallëzimi më i rëndë në vitet e fundit”.
“Procesi i normalizimit vazhdon të ndikohet nga hapat e pamjaftueshëm të Serbisë për të siguruar përgjegjësi për sulmin e dhunshëm nga sulmuesit e armatosur serbë të Kosovës kundër Policisë së Kosovës në 24 shtator 2023 në Banjskë”- shkruan në raport.
Raporti i Progresit është instrument me anë të të cilit Komisioni Europian e mat progresin e një vendi në përmbushjen e agjendës evropiane brenda vitit kalendarik.
Duke i përmendur radhazi disa çështje që e kanë karakterizuar këtë vit dhe jo vetëm në aspektin e marrëdhënieve mes dy vendeve, Raporti shpërfaq se të njëjtat i dëmtuan edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit serb të Kosovës.
Ndër to janë edhe tensionet në veri të Kosovës të cilat thuhet se kanë vazhduar si pasojë e sulmit të dhunshëm kundër Policisë së Kosovës nga sulmues të armatosur serbë, më 24 shtator të vitit 2023.
Kriza të tjera thuhet se u shkaktuan nga çështjet që lidhen me shpronësimin e tokave në veri nga ana e Qeverisë; nga miratimi i një rregulloreje të Bankës Qendrore për transaksionet me para të gatshme e që ndikoi negativisht të serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera joshumicë; nga operacionet policore për mbylljen e zyrave të institucioneve të drejtuara nga Beogradi që ofronin ndihmë për komunitetet joshumicë; si dhe nga ndalimi i vazhdueshëm i importit të mallrave me origjinë serbe.
Edhe pse evidentohet pak progres, marrëdhëniet mbesin të tensionuara.
“Arritjet e dukshme përfshijnë marrëveshjet historike të dakorduara në shkurt dhe mars 2023, hapat përgatitorë në themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, avancimet në sektorin e energjisë dhe zotimet për adresimin e çështjes së personave të pagjetur” – shkruan në raport.
Ndër të tjera, thuhet se Kosova është zotuar se do t’i zbatojë plotësisht të gjitha detyrimet e saj përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si dhe nga të gjitha marrëveshjet e kaluara.
“Kosova duhet ta zbatojë Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit dhe Aneksin e saj dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara pa vonesa apo parakushte të mëtejshme”- shkruan në Raport.
Ndërsa në Raportin e Progresit për Serbinë shkruan se “Marrëveshja është e vlefshme dhe ligjërisht e detyrueshme për palët dhe të gjitha formalitetet, përfshirë miratimin/formalizimin e saj, nuk duhet ta pengojnë progresin në zbatimin e saj”.
“Si Kosova ashtu edhe Serbia pritet të zbatojnë obligimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit. Kjo përfshin themelimin e Asociacionin/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe”- shkruan në Raport.
Aty shkruan se Kosova pritet të nisë procesin që çon në krijimin e Asociacionit bazuar në propozimin europian të paraqitur ndaj palëve më 21 tetor 2023. Ndërkaq, Serbia pritet të fillojë përmbushjen e detyrimeve të saj nga Marrëveshja, paralelisht duke inicuar njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti thotë se tri kushtet që ai vendosi në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, janë ato që garantojnë procesin e normalizimit me Serbinë.
Për Kurtin, pa dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, që kreu sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, tek autoritetet e Kosovës nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Dy kushtet tjera të Kurtit, që ai i quan paqësore janë nënshkrimi i Marrëveshjes dhe tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq.
Në anën tjetër, masat e Vuçiqit që u prezantuan më 13 shtator 2024, janë shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.
Ndërkohë që të dy po kërkojnë gjëra të ndryshme, në Bruksel, këta muaj u panë vetëm kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Edhe pse u takuan për herë të parë pas tre muajsh në një takim trepalësh më 24.10.2024, përsëri takimi ndërmjet Bislimit dhe Petkoviqit, nën udhëheqjen e emisarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, nuk dha rezultate në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes bazë për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në mars të vitit 2024, u shënua një vit që kur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.
Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.
Marrëveshja me 11 nene, ndër tjera parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Megjiithatë kjo marrëveshje ende ka mbetur e pazbatuar.
Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.
Ky proces fillimisht kishte nisur për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.
Edhe pse janë nënshkruar marrëveshje, shumica prej tyre nuk janë zbatuar, ndërsa dialogu vazhdon të shihet herë si i “vdekur” e herë në “komë”.