Foto: REL/AFP

KDI: Vazhdimi i dialogut me Serbinë mos ta gjejë Kosovën pa strategji dhe platformë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes një komunikate, ka bërë të ditur se po përcjellë me vëmendje zhvillimet rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas KDI-së, nga deklaratat publike të lehtësuesve të këtij procesi, ka sinjale të qarta se një takim mes palëve edhe mund të ftohet shpejtë.

KDI i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentes së vendit Vjosa Osmani, si bashkudhëheqës të politikës së jashtme, njëherësh edhe procesit të dialogut me Serbinë, që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë kësaj çështjeje.

“Vazhdimi i dialogut nuk duhet ta gjejë Kosovën të papërgatitur, pa plan dhe pa qartësi rreth këtij procesi”, thuhet në deklaratë.

KDI tutje ka kërkuar nga Qeveria në koordinim me Presidencën, që sa më parë ta përgatisin Strategjinë dhe Platformën Shtetërore për Dialogun me Serbinë, ku artikulohen qartë e argumentohen mirë kërkesat e Kosovës lidhur me këtë proces.

“Konsolidimi i këtyre dokumenteve nuk duhet ta anashkalojë rolin mbikëqyrës të Kuvendit në këtë proces të rëndësishëm shtetëror, duke garantuar bashkërendim të institucioneve, gjithë përfshirje, llogaridhënie dhe transparencë”, thuhet në deklaratë.

KDI-ja ka ftuar bartësit e këtij procesi, që krahas hartimit të Strategjisë dhe Platformës për Dialogun, të ndërmarrin hapa konkret drejt arritjes së konsensusit të gjerë politik për dialogun, me qëllim për të forcuar pozicionin e Republikës së Kosovës në këtë proces.

“Në këtë drejtim, Kryeministri dhe Presidentja, konform përgjegjësive të tyre kushtetuese duhet të iniciojnë dhe t’i kontribuojë ndërtimit të konsensusit politik lidhur dialogun. Ndërsa, subjektet opozitare duhet të jenë të përgjegjshme për arritjen e konsensusit për këtë çështje të interesit shtetëror, duke treguar përkushtim dhe konstruktivitet në tejkalimin e pengesave në arritjen e pajtueshmërisë”, thekson KDI.

KALLXO.com ka raportuar se Kosova ka shprehur gatishmëri që të vazhdojë dialogun me Serbinë, pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga e kaluara, ndërsa pala serbe është shprehur se është gati për vazhdimin e bisedimeve por jo edhe për t’i pranuar ato që i quan “ultimatume” dhe “shantazhe” nga ana e palës kosovare.

Kosova e gatshme për dialog, Serbia bisedon pa”shantazhe”