KDI: Shtatë komuna nuk respektuan afatet kohore për aktivitetet e prokurimit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar një tryezë në lidhje me “Shpenzimet e parasë publike në kategorinë e subvencioneve dhe investimeve kapitale gjatë mandatit qeverisës 2018-2021”.

Aty u publikuan raportet e shpenzimeve të parasë publike në dy kategoritë buxhetore gjatë mandatit të kaluar qeverisës në shtatë komunat më të mëdha të Kosovës.

Naim Cahani – zyrtar i KDI-së tha se Komuna e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt, Mitrovicës së Jugut, Gjilanit dhe Gjakovës, nuk kanë respektuar afatet kohore në realizimin e aktiviteteve të specifikuara në planin e tyre të prokurimit.

Ai tha se komunat gjatë mandatit të tyre kanë vazhduar të kenë trend të rritjes së buxhetit.

“Në mesin e shtatë komunave më të mëdha që janë pjesë e këtij hulumtimi, komuna e Mitrovicës së Jugut mbetet njëra ndër komunat e cila kishte trend më të madh të rritjes së planifikimit të buxhetit, krahasuar me vitin e parë dhe të fundit të mandatit qeverisës me 19.88 %”, u shpreh ai.

Cahani ndër të tjera tha se komuna e dytë me rritjen me të madhe është Prishtina me 18.70%.

“Komuna e Prizrenit mbetet njëra ndër komunat që kishte një trend më të vogël të rritjes së buxhetit të komunës krahasuar me vitin e parë dhe të fundit të mandatit qeverisës me vetëm 5.9 % rritjeje”, u shpreh më tutje ai.