KDI: Nga 23 seanca, deputetët munguan 414 herë

Instituti Demokratik i Kosovës, KDI ka vlerësuar se sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës është karakterizuar me një ritëm të ngadaltë të punës në proces legjislativ por me performancë më të mirë në rolin mbikëqyrës.

Në raportin e KDI-së është vënë në pah mungesa e deputetëve në seancat plenare të Kuvendit të Kosovës.

Agnesa Haxhiu, monitoruese e punës së Kuvendit nga KDI tha se në këtë sesion të punës është shënuar një rritje e lehtë e numrit të përgjithshëm të seancave të mbajtura krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar të legjislaturës së 7-të.

Sipas Haxhiut, Qeveria ka dështuar ta përmbush planin e saj legjislativ duke i dorëzuar vetëm 27 projektligje nga 65 sa kanë qenë të parapara për procedim për periudhën prill – gusht.

“Prej fillimit të kësaj legjislature janë mbajtur gjithsej 23 seanca duke e përfshirë edhe seancën konstituive prej të cilave 16 ishin të rregullta, 4 të jashtëzakonshme dhe dy solemne. Në 13 raste seancat kanë vazhduar për një ditë tjetër ndërkaq, tri seanca nuk kanë arritur të përmbyllen për shkak të mungesës së kuorumit, për t’ju dhënë epilog 4 pikave të mbetura nga këto seanca”, tha ajo.

Haxhiu shtoi se problematika që e ka përcjellë këtë periudhë të punës së Kuvendit ngjashëm me periudhat e kaluara, janë mungesat e shumta të deputetëve.

“Sipas të dhënave të siguruara nga Kuvendi, deri në fund të muajit korrik deputetët kanë munguar plot 414 herë. Edhe kryesia e Kuvendit është mbledh dy herë më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar duke mbajtur 18 mbledhje. Kurse, komisionet parlamentare kanë rritur performancën në aspektin numerik duke mbajtur 176 mbledhje dhe 6 dëgjime publike. Ky sesion është karakterizuar me numër të ulët të ligjeve të miratuara vetëm 7 sosh në krahasim me 10 ligjet e miratuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, shtoi Haxhiu.

Pavarësisht se kjo legjislaturë ka shumicë të konsoliduar Haxhiu tha se mungesa e kuorumit ka vazhduar të jetë prezentë.

“Mos pjesëmarrja e opozitës në votim e ka shndërruar në sfidë kryesore arritjen e kuorumit në vendimmarrje në pikat që kërkojnë 2/3 e votave siç ishte rasti i ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. 2 marrëveshje janë votuar ndërsa dy tjera kanë mbet sepse nuk është arrit konsensusi opozitë pozitë”, shtoi Haxhiu.

Sipas saj karakteristikë tjetër në këtë sesion ishte procesi i shkarkimit të plotë të bordeve të institucioneve të pavarura dhe shkarkimet individuale duke nxit mospajtime mes pozitës dhe opozitës.

“Kuvendi i ka shkarkuar 4 borde. Ka shkarkuar bordin e Agjencionit Kosovar të Privatizimit, bordin e Radio Televizionit të Kosovës, bordi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës si dhe bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave. Ka shkarkuar edhe një anëtar të bordit të KOSTT-it”, tha ajo.

Sa ju përket pyetjeve parlamentare, 39 nga 120 deputetë e kanë shfrytëzuar të drejtën për pyetje. Ndërsa janë bërë 108 pyetje parlamentare drejtuar kabinetit qeveritar. Sipas Haxhiut, përgjigje kanë marr në 82 për qind të tyre.

“Kuvendi ka mbajtur dy interpelanca dhe 5 debate parlamentare, ka propozu 7 projekt rezoluta dhe vetëm një për Srebrenicën është miratuar dhe 6 tjera të propozuara nga opozita janë hedhur poshtë me votim. Janë shënuar 31 raportime të ministrave në komisione përkatëse”, përfundoi ajo.