Diana Metushi Krasniqi nga KDI

KDI: Lumenjtë e ndotur po i helmojnë bunarët që shfrytëzohen për ujë të pijshëm

Diana Metushi -Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ftuar në debatin për lumenjtë e kontaminuar ka treguar se kanë gjetur që lumenjtë e ndotur po shkaktojnë rritje të numrit të personave që po sëmuren nga diarreja akute.

“Këta lumenj kalojnë rreth vendbanimeve tona dhe përveç ndotjes së lumenjve dhe derdhjes në shtetet e tjera, ne kemi gjetur edhe një fakt tjetër shqetësues që sipas raportove të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, numri i të sëmurëve me diarre akute që vjen nga ndotja e lumenjve, për vitin 2015-2017 është rritur me 52% dhe shumica e këtyre të sëmurëve janë të fokusuar rreth këtyre lumenjve. Këta lumenj po i helmojnë puset, prej të cilave qytetarët furnizohen me ujë”, tha gjatë debatit, Diana Metushi – Krasniqi.

Sipas saj, KDI nuk ka gjetur asnjë të dhënë që bunarët që shfrytëzohet për ujë të pijshëm janë testuar.

“Nuk kemi gjetur asnjë të dhënë të vetme që cilësia e ujërave në bunarët që shfrytëzohet për pije, po testohet. Është një shqetësim shumë i madh në qasjen institucionale sa i përket trajtimit të ujërave dhe ujit të pijes”, shtoi ajo.

 

KALLXO.com ka analizuar projektbuxhetit të vitit 2021 dhe ka gjetur se janë ndarë më pak se 10 milionë euro për ndërtimin e 12 impianteve të ujërave të zeza.

Kosova është njëri nga vendet e Ballkanit me më së paku burime të ujit të pijshëm.

Të ftuar në debat për të diskutuar për kontaminimin e lumenjve janë: Gani Berisha, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, shef i Departamentit të ujërave, Diana Metushi -Krasniqi, nga KDI, Seniha Bajraktari, zyrtare e lartë për mjedis në Komunën e Prishtinës dhe Fatimr Gërguri, kryeinspektori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.