Ilustrim Foto: KALLXO.com

KDI kundërshton vendimin e Zemajt për shfuqizimin e Udhëzimit për çmimin e barnave

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes një komunikate ka kundërshtuar vendimin e Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ që rregullon çmimin e barnave.

KDI konsideron se shfuqizimi i këtij Udhëzimi pa masa tjera të gatshme për parandalimin e keqpërdorimeve me barna është i dëmshëm për qytetarët.

“Shfuqizimi i këtij udhëzuesi do të lejojë që qytetarët përsëri të blejnë barna të njëjta me çmime të ndryshme në barnatore si dhe qeveria të pranoj ofertat nga operatoret ekonomik me çmime të larta. Kosova është ndër shtetet e pakta në Evropë që nuk e ka të rregulluar tregun farmaceutik”, thuhet në reagimin e KDI.

Instituti i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të shqyrtoj të gjitha opsionet për mbrojtjen e qytetarëve dhe buxhetit nga keqpërdorimet potenciale me çmimet e barnave dhe të hartoj me urgjencë bazën ligjore për mbikëqyrjen e tregut farmaceutik.

“Gjithashtu, Instituti kërkon edhe nga Kuvendi i Kosovës që përmes mekanizmave të tij të hetoj arsyet e këtij shfuqizimi dhe me qëllim të përfaqësimit të interesave të qytetarëve të rris mbikëqyrjen së punës së ekzekutivit veçmas gjatë kësaj periudhe të vështirë të përballjes me pandeminë aktuale”, thuhet në fund të reagimit të KDI-së.

Ndërsa dje, Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate ka thënë se shfuqizimi i këtij vendimi hap rrugë që politika e përcaktimit të çmimeve të barnave të vihet në në binar ligjor, të rregulloj sektorin farmaceutik në interes të popullatës dhe jo në shërbim të grupeve të interest që sipas Ministrisë dy anëtarë të Komisionit për caktim të çmimeve janë në konflikt interesi

Sipas MSh-së ky vendim e autorizon Sekretarin e Përgjithshëm të MSh që të ndërmarr veprimet në drejtim të hartimit të Koncept dokumentit për rregullimin e çmimit të barnave me qëllim të shmangies së pa barazisë, monopolit dhe jo kualitet – cilësi në tregun farmaceutik, i cili ka ndikim të konsiderueshëm social dhe ekonomik.

Shuqizimin e këtij vendimi e ka kundërshtuar edhe Oda e Farmacistëve të Kosovës.

Oda e Farmacistëve kundër Zemajt për shfuqizimin e UA për çmimin e barnave