Llogo e KDI-së, Foto: Facebook

KDI kundërshton rrëzimin e qeverisë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka theksuar se po i përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend, në lidhje me inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë nga LDK-ja.

KDI përmes një deklarate për media e ka kundërshtuar paralajmërimin për mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë, me arsyetimin se kjo do të prodhojë pasiguri.

“Ndonëse KDI njeh të drejtën kushtetuese të subjekteve politike parlamentare për inicimin e këtij mocioni si formë e kundërshtimit të punës së ekzekutivit, vlerëson që një iniciativë e tillë, e ndërmarrë mbi të gjitha në një periudhë të ballafaqimit me shpërndarjen e virusit COVID-19, është e padobishme”, thuhet në këtë deklaratë.

Sipas tyre,  kriza institucionale mund të prodhojë stagnim të mëtejmë të zhvillimit ekonomik e social.

“Rikujtojmë se Qeveria e re e Kosovës e formuar vetëm 45 ditë më parë pas një periudhe disa-mujore kur është qeverisur nga një qeveri në dorëheqje dhe futja në cikël të ri të krizës institucionale mund të prodhojë stagnim të mëtejmë të zhvillimit ekonomik e social, në prolongimin e reformave për sundim të ligjit dhe në procesin e integrimit evropian. E gjithë pa dyshim do t’a dobësojë pozicionin politik të shtetit në rrafshin ndërkombëtar, do t’a polarizojë edhe më tepër skenën politike dhe do të prodhojë zhgënjim e destabilitet shoqëror”, vijon njoftimi.

KDI beson që Kosova tashmë i ka kaluar situatat kur vendit i janë dashur qeveri teknike apo ato të unitetit, veçanërisht në periudhën para shpalljes së pavarësisë.

Kjo pasi sipas tyre, 1everitë teknike apo të unitetit janë kryesisht karakteristikë e shteteve pa stabilitet institucional dhe polarizim të skajshëm politik.

“Prandaj, KDI vlerëson se krijimi i një qeverie të tillë do të ishte deformim i vullnetit të shprehur të qytetarëve më 6 tetor të vitit të kaluar, si dhe do të prodhonte institucione të reja pa legjitimitet qytetar”, thuhet mes tjerash në reagimin e KDI-së.

Përderisa vendi është duke u ballafaquar me pandeminë globale COVID-19, gjendja e krijuar në skenën politike sipas KDI-së, ngjallë pasiguri tek qytetarët dhe situatat e krizave të tilla nuk duhet të përdoren për interesa politike.

“Në këtë drejtim, kohëzgjatja e procedurave kushtetuese për formimin e një qeverie të re do të linte vendin pa institucione në periudhën kur ato vendit i duhen më së shumti. Qytetarët e vendit, më shumë se kurrë më parë presin nga liderët politikë të tregojnë guxim dhe maturi dhe përmes veprimeve të përgjegjshme të thellojnë dhe forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional për tejkalimin e kësaj situate të rëndë jo vetëm për Kosovën por për gjithë njerëzimin”, përfundon deklarata.

Përderisa Kosova po përballet me pandeminë botërore të virusit Covid–19, vendi tashmë ka hyrë në një krizë politike që shpërtheu me paralajmërimin për rrëzimin e qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit nga partneri qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shkarkimi i Agim Veliut – njëri prej zyrtarëve më me ndikim në LDK, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nga ana e kryeministrit Albin Kurti, pasoi me vendimin e Kryesisë së LDK-së që të mos qëndrojë më në qeverisje me LVV-në.

Kurse, sot kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe protestat e qytetarëve përmes ballkoneve, kundër rënies së Qeverisë në krye me Albin Kurtin.

Duke publikuar dy komunikimet e fundit zyrtare me Kurtin, ai ka thënë se pret edhe sot që kryeministri Kurti ta heq tarifën dhe ta anulojë vendimin për shkarkimin e Agim Veliut nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, dhe të kërkojë falje.