KDI: Kufizimi i konkurrencës në tenderët e shëndetësisë

Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës është analizuar furnizimi me barna dhe pajisje mjekësore nga Instituti Demokratik i Kosovës duke i kushtuar fokus të veçantë kërkesës për autorizim marketingu në SHSKUK.

“Janë marrë 12 mostra të dosjes së tenderëve në periudhën mars-qershor, kemi vërejtur disa probleme si: kërkesa për autorizim marketing, aplikimi i kritereve jo standarde, blerja e produkteve me specifika tjera nga ato të përcaktuara në Listën e Barnave Esenciale dhe blerje duke tejkaluar vlerën e parashikuar”, tha Liridona Behrami nga KDI.

Sipas saj aplikimi i kritereve jo standarde i jep hapësirë autoritetit kontraktues që në raste të caktuara të favorizojnë apo diskriminojnë operatorë ekonomikë të caktuar.

“Katër dosje të tenderit nga 12 mostra edhe pse janë të vendosura specifikat sipas listës esenciale, operatorët janë lejuar të ofertojnë me produkte specifikat e të cilave nuk janë të njëjta”, tha Behrami.

Raporti i KDI-së thotë se vlera e parashikuar në dosje të tenderit duhet të jetë e barabartë me çmimin përfundimtar që duhet të paguhet nga autoriteti kontraktues.

“Nga 12 dosjet e tenderëve, gjashtë tenderët e rekomandues për dhënie të kontratës nga SHSKUK vlera e parashikuar është tejkaluar”, thuhet në raport.

Ndërsa, Behrami tha se tejkalimi i vlerës së parashikuar nuk është i ndaluar, por që është duke u bërë në shumë tenderë dhe është një keqplanifikim.

Prandaj ajo tha se SHSKUK duhet të hulumtoj tregun paraprakisht dhe t’i referohet çmimit të barnave në rajon.

Selami Krasniqi nga SHSKUK tha se do të ishte mirë që KDI të jetë më shpesh në SHSKUK në mënyrë që raporti të jetë më profesional.

“Nëse duam me i ngarku operatorët ekonomik me kritere tjera që nuk janë të nevojshme për produktet që kanë autorizim marketing nuk kemi nevojë të ju qesim kritere tjera sepse i pengon ajo” tha ai.

Ai tha se beson që SHSKUK ka vepruar mirë.