Llogo e KDI-së, Foto: Facebook

KDI kërkon të rishikohet vendimi i KQZ-së për dizajnin e fletëvotimeve

Instituti Demokratik i Kosovës KDI, kërkon që të rishikohet vendimi i KQZ-së për dizajnin e fletëvotimeve.

Në një komunikatë për media, KDI thotë se me propozim të Këshillit të Operacioneve Zgjedhore, anëtarët e KQZ-së nuk e miratuan dizajnin e ri, për përdorim në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

“Votimi i anëtarëve të KQZ-së për anashkalimin e dizajneve të reja u arsyetua duke u thirrur në afatet e shkurtra, memorizimin e fletëvotimit aktual nga ana e votuesve, ndryshimet e mëdha në dizajnin e ri dhe hutinë që mund të shkaktohet tek votuesit”, thuhet në komunikatë.

KDI shtoi se dizajni i ri, me iniciativë të shoqërisë civile, ishte përpiluar nga një grup ekspertëve të fushës, si dhe ishte testuar me 1,200 qytetarë – duke rezultuar në përqindje më të vogël të fletëvotimeve të pavlefshme.

Sipas KDI-së i njëjti dizajn kishte edhe përkrahjen e Sekretariatit të KQZ-së.

“Gjithashtu, afatet e zgjedhjeve të rregullta janë optimale për një avancim të tillë të natyrës vizuele të fletëvotimit, përmes së cilit adresohen pjesët problematike të fletëvotimit, sidomos duke ditur se ende nuk është zhvilluar asnjë kampanjë për informim publik që përmban dizajnin e fletëvotimit. Kurse, përdorimi i të njëjtit fletëvotim që nga viti 2007, nuk ka bërë që ai të memorizohet nga votuesit, por përkundrazi, numri i fletëvotimeve të pavlefshme është rritur vazhdimisht”, thuhet tutje.

Sipas KDI-së, ky vendim i KQZ-së nuk kontribuon në përmirësimin e procesit zgjedhor, si dhe anashkalon një rekomandim të përsëritur tash e sa procese zgjedhore si nga raportet e misioneve vendore të vëzhgimit të zgjedhjeve, ashtu edhe të atyre ndërkombëtare.

“Ky vendim rrezikon po ashtu të përsërisë situatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2017, ku edhe si rezultat i dizajnit të fletëvotimeve, ishin regjistruar rreth 80 mijë fletëvotime të pavlefshme”, thuhet në komunikatë.

Demokracia në Veprim kërkon që ky vendim i KQZ-së të rishikohet dhe të ndryshohet. Sipas tyre, avancimi i elementeve të procesit zgjedhor, sidomos atyre që kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek votimi, që ulin gabimet dhe votat e pavlefshme, që lehtësojnë votimin për të gjitha kategoritë e votuesve, duhet të jenë prioritet për anëtarët e KQZ-së.

Gjatë ditës së sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka miratuar dizajnin e fletëvotimeve për zgjedhjet për Kuvend Komunal dhe Kryetar Komune.

KQZ miraton dizajnin e fletëvotimeve për zgjedhjet për kuvend komunal dhe kryetar komune