Llogo e KDI-së, Foto: Facebook

KDI kërkon nga subjektet politike që t`i evitojnë zgjedhjet

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar nga subjektet politike që të evitojnë zgjedhjet dhe t’i hapin rrugë funksionimit të institucioneve të vendit.

KDI përmes një komunikate ka deklaruar se është duke i përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit në seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit të vendit.

Sipas KDI-së, përsëritja e dyfishtë të raundit të parë, respektivisht dështimi i këtyre procedurave në mungesë të kuorumit të nevojshëm, është një zhvillim i paprecedentë në historinë politike të Kosovës duke shpërfaqur mungesën e seriozitetit të subjekteve politike në formimin e institucioneve dhe përmbylljen e një prej proceseve më të rëndësishme në vend, atë të zgjedhjes së Presidentit/es.

KDI ka kërkuar nga subjektet politike që të përfshihen në konsultat të nevojshme, në funksion të arritjes së konsensusit për përmbylljen e kësaj procedure. Në një situatë të tillë pandemike, me probleme të shumta me të cilat ballafaqohen qytetarët, zgjedhjet nuk duhet të shihen si opsion nga asnjë prej subjekteve politike.