KDI: Deputetët e Listës Serbe u penguan jashtëligjshëm nga kryetari i Kuvendit dhe deputetët e shumicës
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me largimin e deputetëve të Listës Serbe nga seanca e Kuvendit më 05.12.2024.
Sipas KDI-së, deputetët e grupit parlamentar të Listës Serbe janë penguar jashtëligjshëm nga kryetari i Kuvendit dhe deputetët e shumicës parlamentare për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.
“Megjithëse Lista Serbe ka bojkotuar punimet e Kuvendit që nga viti 2022, dhe të njëjtit janë paraqitur në Kuvend vetëm për qëllime të mospërfundimit të mandatit, pengimi i tyre në seancën e sotme përbën cenim të mandatit kushtetues të deputetit. KDI, në vazhdimësi ka kritikuar Listën Serbe për mospjesëmarrje në punën e Kuvendit, duke vlerësuar që mospjesëmarrja e tyre e minimizon hapësirën për komunikim midis komuniteteve jo-shumicë dhe pushtetit”- thuhet në reagim.
KDI ka theksuar se sipas ligjit, deputetët i nënshtrohen vetëm ndërgjegjes së tyre, “andaj edhe bojkoti – si mjet politik – ndonëse e dobëson efikasitetin e Kuvendit dhe cenon përfaqësimin e interesave të qytetarëve, nuk mund të përdoret si arsye për pengim të pjesëmarrjes së deputetëve në punimet e Kuvendit”.
KDI ka shpjeguar edhe rastet kur deputetët largohen nga seanca sipas Rregullores së Kuvendit.
Ndërsa, kanë shtuar se ndërprerja e seancës mund të bëhet vetëm në rastet kur në sallë bëhet rrëmujë dhe nuk respektohet kërkesa e kryesuesit të seancës për mbajtjen e rregullit.
“Sipas Rregullores, deputetët mund të largohen nga seanca, vetëm në rast se ata përdorin fjalë fyese, cenojnë personalitetin e kryesuesit të seancës ose deputetëve tjerë, apo vazhdojnë të bëjnë shkelje në raport me të cilat paraprakisht janë sanksionuar. Ndërsa, ndërprerja e seancës mund të bëhet vetëm në rastet kur në sallë bëhet rrëmujë dhe nuk respektohet kërkesa e kryesuesit të seancës për mbajtjen e rregullit”- thuhet në reagim.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka ndërprerë punimet e seancës së Kuvendit të Kosovës pas ardhjes së deputetëve të Listës Serbe në sallë.
Konjufca ka thënë se ardhja e tyre në Kuvend një herë në gjashtë muaj është “sjellje e patolerueshme.”
Ai ka kërkuar nga të njëjtit ta lirojnë Kuvendin e Kosovës, ndërsa u ka thënë “Shkoni edhe rrini gatitu shefit kriminel [Millan] Radoiçiq”.