Pamje nga vendi ku është rrëzuar aeroplani.

Kazakistan: 15 persona të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit

Një aeroplan i kompanisë kazake, Bek Air, është rrëzuar me 95 pasagjerë dhe pesë anëtarë të bordit, pas nisjes nga aeroporti i Almatit, duke lënë të vdekur të paktën 15 persona.

Zyrtarët kanë thënë të premten se 66 persona janë dërguar në spital, duke përfshirë disa në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton REL.

Ata po ashtu kanë prezantuar listën e pasagjerëve që kanë qenë në aeroplan.

Autoritetet e aviacionit kanë thënë se pajisja “nuk ka arritur lartësinë e duhur gjatë nisjes dhe është përplasur për një ndalesë betoni” para se të ndeshej me një ndërtesë dykatëshe.

Ende nuk është bërë e qartë nëse ka viktima në ndërtesë.

Një gazetar i agjencisë së lajmeve, Reuters në aeroport ka thënë se në atë zonë ka pasur mjegull të madhe.

Zyrtarët kanë thënë se aeroplani ishte nisur për Nur-Sultan, qytetin që dikur është njohur si Astana, njëherësh kryeqytetin e Kazakistanit.

Agjencia lokale e lajmeve, Tengrinews, ka cituar një të mbijetuar të ketë thënë se ajo ka dëgjuar “tinguj të tmerrshëm” para se aeroplani të rrëzohej.

“Gjithçka ka qenë sikurse film: njerëzit duke bërtitur dhe duke qarë”, ka thënë ajo.

Kompania Bek Air funksionon me flotën e aeroplanëve, Fokker. Komiteti shtetëror i aviacionit ka thënë se do të pezullojë të gjitha fluturimet me këtë lloj aeroplani pas rrëzimit dhe derisa të kryhen hetimet.

Të dhënat tregojnë se aeroplani i përfshirë në incident, Fokker-100, ka qenë 23.7 vjet i vjetër.

Kompania që ka prodhuar këtë lloj aeroplani, ka bankrotuar më 1996 dhe prodhimi i këtyre aeroplanëve është ndalur më 1997.