Katër vjet nga vdekja e Adem Mikullovcit, Kurti viziton familjen e aktorit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar aktorin dhe ish-deputetin e Kuvendit, Adem Mikullovci në katër vjetorin e vdekjes së tij.

Ai ka njoftuar se më 15.09.2024 ka vizituar familjen Mikullovci.

Sipas Kurtit, Adem Mikullovci pa u trembur prej përndjekjes nga regjimi mizor serb, ishte pjesëmarrës i Kuvendit që shpalli Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, dhe gjithnjë ishte me vepër e me zemër pranë çështjes kombëtare.

“Megjithatë ai kurrë nuk e la pas dore skenën dhe humorin, pasionet e tij jetësore. Në ato vite terri të thellë buzëqeshja e tij e mençur na sillte pakëz dritë dhe shpresë. Por edhe më vonë, gjatë lirisë që do ta kemi përgjithmonë”- ka thënë Kurti.

Ndërsa ka shtuar se Adem Mikullovci diti të bëjë humor shpotitës dhe ironik me fenomene të ndryshme negative të shoqërisë sonë, e sidomos të kastës drejtuese.

Sipas Kurtit, Mikullovci ka qenë kontribues i madh edhe në Lëvizjen Vetëvendosje si veprimtar e deputet.

“Injoranca e lakmia në pushtet, prapambetja, ishin dukuri që i jepnin një tis trishtimi buzëqeshjes së artistit tonë të madh. Megjithatë buzëqeshja në fund triumfonte. Kjo ishte mënyra e tij për të kritikuar dhe për të kontribuar në përparimin tonë shoqëror. Ai ka qenë kontribues i madh edhe në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, si veprimtar e deputet”- tha ai.

Aktori dhe ish-deputeti Adem Mikullovci ka vdekur më 15.09.2020, në moshën 81-vjeçare.