Flamuri i Izraelit, Foto: Eduardo Castro

Katër të vdekur pas një sulmi në Izrael

Dy persona të armatosur që dyshohet se janë arabë kanë vrarë dy të tjerë në Izrael, raporton Reuters.

Pas kësaj, sipas policisë dhe shërbimit të ambulancës dy sulmuesit janë qëlluar për vdekje duke bërë që nga kjo ngjarje të mbesin katër persona të vdekur.

Ngjarja thuhet se ka ndodhur në një rrugë kryesore në qytetin Hadera.

“Për fat të mirë, oficerët tanë arritën të neutralizojnë sulmuesit dhe të parandalojnë një sulm më të madh terrorist”, thuhet se ka thënë zëdhënësi i policisë kombëtare Eli Levy në televizionin izraelit Kan.

Tutje tregohet se ngjarja ka ndodhur pesë ditë pas një sulmi tjetër që u bë nga një shtetas arab i Izraelit i cili theri me thikë të paktën katër persona në qytetin jugor të Beersheba, përpara se të qëllohej për vdekje nga një kalimtar.