Katër të vdekur nga rrëmuja jashtë stadiumit në Basra të Irakut

Katër persona mbetën të vdekur pas krijimit të një rrëmuje jashtë një stadiumi futbolli në Basra të Irakut, disa orë para finales së Kupës së Gjirit ndërmjet Irakut dhe Omanit, e cila pritej  të fillonte në orën 19:00 (ora lokale), njofton Al Jazeera.

Burime mjekësore dhe sigurie thonë se rreth 80 të tjerë kanë marrë lëndime.

E gjitha kjo dyshohet se ka ndodhur pasi mijëra tifozë pa bileta ishin mbledhur jashtë stadiumit në qytetin kryesor jugor të Irakut, Basra, që nga orët e hershme të mëngjesit me shpresën për të parë ndeshjen e rrallë ndërkombëtare.

Federata e Futbollit të Irakut ka njoftuar se stadiumi kryesor është mbushur derisa autoritetet para portës kryesore të stadiumit u kanë kërkuar të gjithë tifozëve që të largohen nga zona.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Irakut, situata po kthehet në  “normalitet”.