Katër të vdekur nga një shpërthim i gazit në Madrid

Katër persona kanë mbetur të vdekur nga një shpërthim në një ndërtesë banimi në qendër të Madridit të mërkurën, raporton AP.

Të paktën 11 persona u plagosën në shpërthim, një në gjendje të rëndë, tha shërbimi i urgjencës në Madrid.

Zyrtarët konfirmuan se shpërthimi ishte shkaktuar nga një rrjedhje gazi.

Një zëdhënës i policisë u tha gazetarëve se zjarrfikësit po përpiqeshin të shuanin një zjarr të vogël brenda ndërtesës përpara se të mund të sillnin qen, ekipe shpëtimi dhe ekspertë për të vlerësuar strukturën e mjediseve të dëmtuara.

Edhe pse shpërthimi ishte i fuqishëm, nuk është raportuar për të lënduar në një shtëpi të të moshuarve afër dhe as në një shkollë ngjitur me ndërtesën.

Kryebashkiaku i Madridit, Jose Luis Martinez Almeida tha se disa dëmtime të lehta ishin identifikuar në shkollë, por, sipas tij, njerëzit nuk pësuan më shumë se “gërvishtje”./REL

Shpërthimi në Madrid, Foto: El Pais
Shpërthimi në Madrid, Foto: El Pais