Foto-ilustrim

Katër të arrestuarve për tenderin e 35 mijë eurove në Kamenicë u caktohet masa e paraqitjes në stacion policor

Katër të arrestuarve për tenderin e 35 mijë eurove në Kamenicë siç merr vesh KALLXO.com u është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor.

Vendimi i Gjykatës për masën ndaj të njëjtëve është paraqitja në stacion ndërsa Prokuroria kishte kërkuar paraburgim.

Katër persona janë arrestuar në Kamenicë nën dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare në lidhje me një tender në vlerë 35 mijë euro për furnizim me dollapë në tetë shkolla.

Policia ka njoftuar se tre anëtarë të komisionit vlerësues të Komunës së Kamenicës kishin nënshkruar raportin e pranimit të mallit pa e pranuar realisht atë.

Anipse mallin nuk e kishte dorëzuar, kompania kishte marrë paratë.

Lidhur me rastin KALLXO.com ka kontaktuar dje kryeprokurorin e Gjilanit, Arben Kadriu.

I njëjti tha se fjala është për tenderin e Komunës së Kamenicës për disa dollapë nëpër shkolla.  Sipas Kadriut, rasti është hetuar tash e një kohë dhe kanë udhëzuar edhe Policinë për veprime të mëtutjeshme.

Kadriu konfirmoi se tre anëtarët e komisionit vlerësues të Komunës P.J., I.Z., dhe F.D., dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa pronari i kompanisë A.K., dyshohet për keqpërdorim të detyrës dhe mashtrim me prokurim publik.

Arrestimet në Kamenicë, zyrtarët nënshkruan se e pranuan mallin pa e pranuar, kompania mori paratë e nuk dërgoi inventarin në shkolla