Foto: Ilustrim

Katër të arrestuar pas katër rasteve të dhunës në familje

Katër raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës. Sipas raportit policor rastet e dhunës janë raportuar në Fushë Kosovë, Prishtinë, Viti dhe Pejë. Në të gjitha rastet, Policia njofton se ka arrestuar të dyshuarit.

Njëri nga ta, është arrestuar në Fushë Kosovë pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tij. Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Një person tjetër, është arrestuar në Prishtinë, nën dyshimin se kishte tentuar të sulmoj bashkëshorten e tij. Sipas Policisë të dyshuarit me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar në Viti, e edhe këtu, është arrestuar i dyshuari mashkull, i cili sipas Policisë së Kosovës dyshohet se pas një mosmarrëveshje verbale që kishte pasur me familjarët e tij, i kishte kanosur ata. Me urdhër të Prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Gjithashtu një person është arrestuar në komunën e Pejës mbrëmë rreth orës 20:50, pasi policia thotë se ai dyshohet të ketë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes. Policia për këtë rast, ka konstatuar se i dyshuari ka qenë në ndikim të alkoolit.

Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shteti me vendim të të cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë ndërsa rasti vazhdon të hetohet, thuhet në raportin e PK-së.