Katër të arrestuar në 24 orë nën dyshimin për dhunë në familje

Pesë raste të dhunë në familje janë regjistruar në 24 orët e fundit në Kosovë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në 4 raste të dyshuar janë 4 burra, 3 prej të cilëve janë dërguar në mbajtje, kurse një është liruar me procedurë të rregull. Ndërsa një rast ka përfunduar me lëndime trupore pas një përleshje mes një çifti.

Policia bën të ditur se në Obiliq ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje një person pasi ia dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje.

Një person tjetër është arrestuar në Gjilan, po për dhunë në familje. Sipas policisë i dyshuari është arrestuar pasi që në vazhdimësi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj viktimës dhe  me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Edhe në Malishevë, policia ka arrestuar dhe ka dërguar në mbajtje një person për dhunë në familje. “Ankuesja ka raportuar se i dyshuari ka thyer dhe demoluar gjësende të ndryshme në shtëpinë e tyre”- bën të ditur policia.

Në Junik, policia ka arrestuar një person për dhunë në familje, i cili më pas me vendim të prokurorit është liruar me procedurë të rregullt. Sipas PK, viktima ka raportuar se i dyshuari në vazhdimësi është duke i shkaktuar dhunë psikike. “Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”- ka bërë të ditur policia.

Ndërsa një rast në Prishtinë ka përfunduar me përleshje fizike me dy të dashurve, pas një mosmarrëveshje. Të lënduarit, sipas  policisë, i është ofruar tretman mjekësor.

Policia thotë se pas intervistimit, me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt.