Katër raste të raportuara të dhunës në familje

Katër raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në vend. Për këto raste, Policia ka arrestuar katër persona të dyshuar.

Një rast i dhunës në familje është raportuar në Prishtinë, një në Prizren dhe dy në Suharekë.

Në Prishtinë një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë në vazhdimësi ndaj birit të tij të mitur.

Ngjarja ndodhur dje, dhe sipas njoftimit të Policisë, viktima është dërguar në strehimore.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Policia ka njoftuar se për dhunën në familje, ka arrestuar një burrë në Prizren. Ai dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.

Sipas Policisë nga i dyshuari është konfiskuar edhe një pistoletë me 7 fishekë, për të cilën është hapur rast i veçantë.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes është arrestuar edhe një burrë në Suharekë.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 12:20 dhe sipas Policisë i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një tjetër rast i dhunës në familje dhe arrestimit është raportuar po në Suharekë, pasi një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht familjarët e tij. Sipas Policisë viktimave u është ofruar tretman mjekësor, ndërsa ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites së djeshme.