Foto: Ilustrim

Katër raste të dhunës në familje u raportuan për 24 orë - gra, fëmijë e prindër u sulmuan nga burrat

Të paktën 4 raste të dhunës në familje kanë ndodhur në 24 orët e fundit në Kosovë e që janë raportuar në Polici e evidentuar nga këta të fundit në raportin 24 orësh.

Një grua nga Podujeva ka raportuar dhunën fizike nga bashkëshorti i saj.

Sipas raportit të policisë, ngjarja ka ndodhur me 24 gusht, ndërsa viktima e kishte raportuar tri ditë më vonë.

I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Gjithashtu edhe një burrë nga Prizreni ka kanosur gruan dhe djalin e tij.

Sipas policisë, motivi i incidentit ka të bëjë me banesën ku banojnë palët. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti nën hetime.

Edhe një burrë nga Vushtrria ka treguar forcën fizike karshi gruas së tij. Sipas policisë, viktima ka pranuar ndihmë mjekësore pas dhunës së përjetuar.

Sipas raportit mjekësor lëndimet  janë të natyrës së lehtë. Njoftohet se pas intervistimit të të dyshuarit, me vendim të prokurorit palët janë liruar në procedurë të rregullt.

E në Deçan, policia ka arrestuar një djalë pasi kishte sulmuar babanë e tij.

Viktima ka marrë tretmanin mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.