Katër raste të dhunës në familje të paraqitura në Polici, arreston dy persona

Policia e Kosovës ka njoftuar për katër raste të dhunës në familje që janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë. Policia lidhur me këto raste ka arrestuar dy persona.

2 rastet e dhunës në familje kanë ndodhur në Prishtinë, një në Fushë Kosovë dhe një në Ferizaj.

Në Prishtinë një person ka raportuar në Polici se në vazhdimësi është duke u keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht nga babai dhe vëllai ti tij.

Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, dhe lidhur me rastin me vendim të prokurorit viktima është dërguar në organet kompetente për trajtim ndërsa rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.

Në Fushë Kosovë, Policia ka arrestuar një person nën dyshimin se ka kanosur dhe sulmuar prindërit e tij dhe gjithashtu ka dëmtuar dritaret dhe disa orendi shtëpiake.

Sipas Policisë i dyshuari është një përdorues i narkotikëve, ndërsa ngjarja ka ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të tij i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër, është ai i raportuar dje në Prishtinë nga një grua e cila organeve të rëndit u ka thënë se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti.

Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit edhe ky rast ka vazhduar në procedurë të rregullt.

Për dhunë në familje Policia ka arrestuar edhe një burrë në Ferizaj nën dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.