
Katër raste të dhunës në familje raportohen brenda një dite në Prishtinë
Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës, gjatë 24 orëve në Prishtinë.
Policia njofton se dje, më 06.02.2025, është arrestuar një burrë, pasi dyshohet se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje tjetër.
Ndërkaq, me vendim të Prokurorit, thuhet se është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër i raportuar në Kryeqytet ka ndodhur më 05.02.2025, ku siç njofton Policia një person është shoqërar në Stacion Policor, pasi ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje.
“Me vendim të Prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.” – thuhet në Raportin e datës 07.02.2025.
Po ashtu, në Prishtinë është raportuar se të enjten, më 06.02.2025, pas një mosmarrëveshjeje një burrë kishte tentuar ta sulmojë fizikisht një grua.
Për këtë rast, Policia njofton se i dyshuari është në arrati, derisa rasti është duke u hetuar.
Në Prishtinë po ashtu, dje më 06.02.2025, është arrestuar edhe një burrë tjetër për “dhunë në familje”, pasi sipas Policisë i njëjti ka sulmuar fizikisht një grua.
Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje – thekson Policia e Kosovës.