Katër raste të dhunës në familje në rajonin e Prishtinës brenda 24 orëve, viktima tri gra

Katër raste të dhunës në familje janë raportuar vetëm në 24 orët e fundit në rajonin e Prishtinës, nga të cilat në tri raste viktima janë gratë.

Rasti i parë është raportuar në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në Podujevë, në të cilin një grua ka raportuar se burri i saj, ka i ushtruar dhunë fizike dhe psikike.

E njëjta ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti i dytë është raportuar dje rreth orës 10:00, në Gllogoc, nga një grua e cila po ashtu ka raportuar se burri ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj.

Policia ka njoftuar se e gruaja ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Viktimë e dhunës ishte edhe një burrë në Prishtinë, i cili dje rreth orës 10:00 ka raportuar në polici se pas një mosmarrëveshje është kanosur me thikë nga vëllai i tij.

Policia ka njoftua se ka arrestuar të dyshuarit dhe i njëjti pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Gjatë ditës së djeshme edhe në grua tjetër në Fushë Kosovë ka raportuar për dhunën nga burri i saj.

Rasti është raportuar në polici dje rreth orës 19:00, kur viktima ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga burri pas një mosmarrëveshje që kishin.

Në bazë të raportit të policisë, nuk raportohet për ndonjë person të arrestuar, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.