Ilustrim

Katër raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë raportuar katër raste të dhunës në familje, në 4 qytete të ndryshme të Kosovës.

Një grua në Prishtinë, ka raportuar në Polici bashkëshortin e saj, shtetas të Maqedonisë së Veriut, i cili dyshohet se pas një mosmarrëveshje verbale ka kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën.

Ngjarja ka ndodhur të hënën më mëngjes, ndërsa i dyshuari ende gjendet në arrati. Policia ka njoftuar se rasti është duke u hetuar.

Në Podujevë një burrë dyshohet se pas një mosmarrëveshje rreth ndarjes së pronës, ka kanosur vëllain e tij. Sipas Policisë, pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Edhe në Ferizaj mbrëmë një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Policia ka njoftuar se viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë një grua ka raportuar se është kanosur dhe sulmuar fizikisht nga vajza e saj. Sipas Policisë me vendim të prokurorit, e dyshuara është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.