ILUSTRIM: Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com
Katër raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë
Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovën në 24 orët e fundit.
Rastet raportohet të kenë ndodhur në Prishtinë dhe Pejë. Nga këto raste, janë arrestuar katër persona të dyshuar.
Në Prishtinë, Policia ka arrestuar një person nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar të ketë ndodhur dje në Prishtinë.
Sipas Policisë, është arrestuar një person nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Ai po dyshohet se ka ofenduar vëllanë e tij dhe po ashtu ka ekspozuar një pistoletë.
Njësitet policore kanë gjetur dhe konfiskuar pistoletën nga i dyshuari. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq në Pejë, forcat e rendit kanë arrestuar një person i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij.
Policia thotë se ,viktima pas tretmanit mjekësor është liruar dhe pas intervistimit me dëshirën e saj kthyer tek familja e saj, ndërsa i dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin, është dërguar në mbajtje.
Për një rast tjetër të dhunës në familje në Pejë, është arrestuar dje një person, i cili dyshohet se më 15 korrik të këtij viti, ka ofenduar dhe sulmuar duke e gjuajtur me shishe birre, babanë e tij.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.