Katër raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit. Rastet e raportuara kanë ndodhur në Fushë Kosovë, Deçan dhe dy në Malishevë.

Një burrë në Fushë Kosovë është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se pas një mos marrëveshje në familje, kishte kanosur bashkëshorten dhe babanë e tij.

Në njoftimin e Policisë thuhet se sipas deklaratës së viktimës-bashkëshortes, i dyshuari në të kaluarën përveç dhunës fizike kishte ushtruar edhe dhunë psikike.

Policia njofton gjatë kontrollit në dhomën e të dyshuarit, janë gjetur dhe konfiskuar tetë gëzhoja.

Me vendim te prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.

Në Deçan, Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili dyshohet se kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij. Sipas njoftimit të Policisë, si pasojë e dhunës fizike, viktima ka pranuar tretman mjekësor.

Në raportin 24 orësh të Policisë bëhet e ditur se i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në Malishevë, forcat e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se për shkak të një mosmarrëveshje e kishte kanosur bashkëshorten e tij. I dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar po ashtu në Malishevë, ku Policia e Kosovës ka arrestuar një grua e cila dyshohet se pas një mosmarrëveshje në shtëpi e kishte sulmuar vjehrrën e saj. Policia raporton se viktima ka pranuar tretman mjekësor. E dyshuara pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, thuhet në raportin policor.