Katër raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Një rast ka ndodhur në Prishtinë, një në Prizren, një në Rahovec dhe një në Gjakovë.

Në katër rastet e raportuara, janë arrestuar katër të dyshuar, një prej tyre sipas raportit policor është grua.

Në Prishtinë, Policia e Kosovës ka arrestuar një grua nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një vajze, fëmijë.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.

Në rastin e dytë, forcat e rendit kanë arrestuar një person në Prizren, i cili dyshohet se në gjendje të dehur ka kryer veprën penale “Dhuna në familje”.

Sipas Policisë, i dyshuari ka demoluar një zyrë që gjendej brenda shtëpisë, pronë e ankuesit, babait të tij.

Në raportin e Policisë bëhet e ditur se, njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi të vogël substancë narkotike 0.7 gramë marihuanë dhe 0.3 gramë heroinë.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Rahovec po ashtu është raportuar të ketë ndodhur një rast i dhunës në familje, ku Policia e Kosovës ka arrestuar një person, që sipas raportit policor është me probleme shëndetësore.

Policia njofton se i dyshuari kishte kanosur me thikë vëllain e tij, mirëpo i njëjti nuk kishte pësuar lëndime trupore.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është proceduar në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari dërgohet për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Gjakovë.

Në Gjakovë, forcat e rendit kanë arrestuar një person që po dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Sipas Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe e njëjta me tre fëmijë ka shkuar te prindërit e saj.

Me vendim te prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje.