Katër raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

Rastet e dhunës në familje vazhdojnë të jenë prezente.

Në bazë të raportit 24-të orësh të Policisë së Kosovës janë raportuar katër raste të dhunës në familje.

Rastet e raportuara janë nga Gjilani, Peja, Mitrovica dhe Leposaviqi.

Në Gjilan është arrestuar një person pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti i dytë ka ndodhur në Pejë ku është arrestuar një person pasi i njëjti dyshohet se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij.

Me urdhër të prokurorit ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor.

Bazuar në gjendjen shëndetësore i dyshuari dërgohet në tretman mjekësorë-psikiatrik dhe i njëjti është në mbikëqyrje të policisë.

Në qytetin e Mitrovicës është arrestuar një burrë pasi i njëjti edhe kishte ndaluar nga vijimi i shkollimit vajzën e tij.

Ankuesja është dërguar në strehimore, ndërsa me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar.

Rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Në Komunën e Leposaviqit një grua ka raportuar se i personi me të cilin ka bashkëjetuar ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj.

Viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës.

Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt.