Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com

Katër raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Në Policinë e Kosovës gjatë ditës së djeshme, më 19.11.2024, janë raportuar katër raste të dhunës në familje.

Siç njofton Policia, një grua në Obiliq ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje në familje kishte pasur konflikt verbal dhe fizik me bashkëshortin e saj dhe motrën e tij.

Sipas policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor, derisa palët janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit rasti është përcjell në procedurë të rregullt.

Ndërkaq në kryeqytet, policia ka arrestuar një burrë nën dyshimin se ka shkaktuar dhunë në familje.

Policia bënë të ditur se me vendim të prokurorit janë kontrolluar dy shtëpi të dyshuarit në dy lokacione të ndryshme, por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

I dyshuari është intervistuar dhe është dërguar në mbajtje.

Derisa, një grua në Pejë, shtetase e Turqisë, ka raportuar se djali i saj, po ashtu shtetas i Turqisë i cili është edhe përdorues i narkotikëve, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj.

Në raportin policor bëhet e ditur se i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Kurse, në Rahovec një grua ka raportuar se më 30.10.2024, pas një mosmarrëveshjeje në familje, është sulmuar fizikisht nga dy të dyshuarit (vjehrri dhe kunati).

Sipas viktimës, ajo është kanosur edhe me armë zjarri.

Policia bënë të ditur se viktima kishte pranuar tretman mjekësor, ndërsa nuk raportohet për të arrestuar. Policia po e heton rastin.