Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Katër raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Në Gllogoc, një burrë dhe një grua, çift bashkëshortor, janë arrestuar për shkak se pas një mosmarrëveshje janë fjalosur dhe kacafytur mes vete.

“Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”- thuhet në raportin e Policisë së Kosovës, më 08.10.2024.

Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Ferizaj. Aty, një burrë është arrestuar pasi babai i tij e ka njoftuar Policinë se ai po shkaktonte probleme në shtëpi.

“I dyshuari është arrestuar dhe pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”- thuhet në raport.

Një rast i dhunës në familje është regjistruar edhe në Gjakovë. Një burrë është arrestuar nën dyshimin se e ka rrahur gruan e tij. Sipas policisë, i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Dhunë në familje është raportuar të ketë pasur edhe në Skenderaj. Atje është arrestuar një burrë nën dyshimin se e ka rrahur gruan e tij.

“I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”- bënë të ditur Policia e Kosovës.